Evolucioni drejt shti-blerjeve online (e-commerce)

Evolucioni drejt shti-blerjeve online (e-commerce)

Pandemia e Covid-19, që mbylli shqiptarët brenda shtëpive për një afat ende të pacaktuar, nxori disa biznese nga zona e tyre e komfortit, duke ju përshtatur kërkesës së tregut. Rrjetet e supermarketeve, që tradicionalisht operojnë në vend, vetëm me njësi shërbimi, kanë hedhur hapin e parë drejt e-commerce me porosi që jepen përmes telefonit, përgatiten në njësi të dedikuara dhe dorëzohen te klienti nga shërbimi postar. Operatorët e tregut pranojnë se kjo i gjeti të papërgatitur, porse dita-ditës ka përmirësim. Ata nënvizojnë se e ardhmja është padyshim e shitjeve online, si një mundësi më shumë për konsumatorin. Shërbimi postar, nga ana tjetër, vlerëson se situata me koronavirusin e ka bërë aktivitetin e tyre dinamik me një rritje të shpërndarjeve. Kompani që operonin prej disa kohësh online vlerësojnë se COVID-19 ka ndryshuar sjelljen e konsumatorëve dhe ka ndikuar në kategorinë e blerjeve që ata kryejnë.

Nga Nertila Maho

A ju kishte shkuar mendja dy javë më parë se do të vinte një ditë si kjo dhe vajin, miellin, vezët e të gjithë ushqimet do t’i porosisnit me telefon pasi t’i kishit parë online? Zakonisht ju ishit mësuar që online të blinit fustanin apo xhaketën tuaj të preferuar, atë orën me ulje, kufjet, karikuesin e gjithfarë produktesh që ofrohen përmes platformave online, por jo ushqimet.

Situata e krijuar në vend, për shkak të COVID-19, që nisi me një gjysmë izolim, me zbulimin e rasteve të para nga autoritetet, përfundoi në një izolim thuajse të plotë të popullatës dhe transformoi brenda ditësh, shërbimin që ofronin njësitë më të rëndësishme në kohë pandemie, ato të rrjetit ushqimor.

Shqiptarët nuk po shpenzonim më si zakonisht, jo vetëm prej mbylljes së shumicës së aktiviteteve tregtare, por edhe prej panikut, pasi tashmë shpenzimet sinjalizuan sjellje më kursimtare, duke kërkuar të blihen ato më të domosdoshme si ushqimet dhe masat mbrojtëse e higjienizuese. Në pak ditë, lindi një sistem i ri shërbimi i supermarketeve, për të çuar edhe ushqimet në dyert e klientëve, një sistem që sigurisht nuk është i përsosur, sikurse shprehen operatorët e tregut, por është zgjidhja më e mirë që mund të ofrohej në një situatë që nuk pritej.

 

Prova e parë e supermarketeve në e-commerce

Robert Hoxha, përfaqësues i rrjetit të supermarketeve “Big Market” në vend, tha për “Monitor” se situata e krijuar me COVID-19 e gjeti tregun të papërgatitur, por kjo po përmirësohet dita-ditës. “Kjo ishte një situatë e papritur dhe për hir të së vërtetës, i ka gjetur pak të papërgatitur të gjithë, pasi nuk kemi platforma online. Ditët e para filluam të ofronim mundësinë e porosive përmes përzgjedhjes së produkteve nga katalogët online që ofronim.

Klienti mund të zgjedhë artikujt në këtë listë, por nuk ka kufizime nëse ka një nevojë specifike, mund të porosisë edhe ekstra” – nënvizon ai. Sigurisht, të gjithë e pranojnë që ashtu sikurse ndodh në ekonomi më të avancuara, edhe ky sektor do të duhet t’u përshtatet shitjeve përmes platformave online, si një normalitet dhe jo si një detyrim i një situate të jashtëzakonshme. Elona Hametaj, Drejtore Ekzekutive e “Spar Albania”, sqaron se përgjigjja e parë ishte përmes paketave standarde, por ditë pas dite është përmirësuar.

“Qëllimi në ofrimin fillimisht të paketave ishte për ta bërë sa më të thjeshtë zgjedhjen e blerësve dhe sa më të shpejtë shpërndarjen e porosive. Kështu krijuam paketa ushqimore, të cilat përmbajnë produktet më të shitura në kategoritë kryesore të ushqimit dhe higjienës sipas vlerave 5,000 Lek, 7,000 Lek dhe 10,000 Lek” sqaron ajo. Shtirja e karantinimit në të gjithë vendin duket se do të sjellë nevojën e ofrimit të shërbimit përmes porosive online kudo nëpër qytete dhe duket se sfida e radhës do të jetë pikërisht kjo për rrjetet e supermarketeve.

 

Si funksionon sistemi, nga porosia te dorëzimi pranë klientit

Pothuajse të gjithë rrjetet e supermarketeve kanë operuar në mënyrë të ngjashme për të shitur online këto ditë. Kanë vënë në dispozicion numrat e telefonit, duke krijuar secili nga një mini “Call Center” që menaxhohet nga 3-5 veta. Pasi merren porositë, ato ju dërgohen njësive të përgatitjes dhe vendi ku përgatitet varet nga afërsia që ka konsumatori me njësinë respektive të shitjes. Pas kësaj, është radha e shërbimit postar, me të cilin kompania ka lidhur marrëveshje, që dorëzon porosinë te klienti dhe merr pagesën cash të produkteve. Geri Piranjani, administrator i “United Transport” (“Albanian Courier”) që aktualisht është e angazhuar në këtë proces për një sërë kompanish, sqaron se nuk po hasen probleme në mënyrën sesi funksionon kjo praktikë.

“Problemet në këtë periudhë janë të minimizuara, për shkak të mungesës së trafikut në qarkullimin e automjeteve dhe gatishmërisë së qytetarëve, të cilët, të mbyllur në shtëpi, marrin në dorëzim porositë që kanë bërë nëpërmjet internetit. Gjithashtu, kemi vënë re se numri i pakove të porositura po vazhdon të rritet ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Ne ju garantojmë se do të vazhdojmë t’ju shërbejmë me përkushtim dhe t’i dorëzojmë me përparësi pakot me produktet e nevojshme gjatë kësaj periudhe” sqaron ai.

 

E-commerce do të jetë e ardhmja për bizneset

Të gjithë operatorët e rrjeteve të supermarketeve pranojnë se, edhe pse ky është një fillim i sforcuar i porosive online, për shkak të situatës, evolucioni drejt këtij shërbimi është i padiskutueshëm. Alexander Kosenas, Drejtor Ekzekutiv i “Neptun”, që ofron edhe mundësinë e blerjeve online të pajisjeve elektroshtëpiake, e sheh këtë moment si një pikënisje për normalitetin e ri të shqiptarëve.

“Njerëzit po kalojnë më shumë kohë në shtëpi me familjet e tyre dhe po e përshtasin sjelljen e tyre të të blerit, për rrjedhojë është vënë re një rritje e madhe në blerjet online dhe në përdorimin e shërbimeve të dërgesave në shtëpi. Ka një mundësi të madhe që këto ndryshime të kthehen në një normalitet të ri. Sidomos përdorimi i e-commerce dhe i shërbimit të dërgesave në shtëpi pritet që të bëhet pjesë e jetës së konsumatorit shqiptar në përfundim të masave” – thekson ai.

Pothuajse të gjithë përfaqësuesit e rrjeteve të supermarketeve në vend konfirmojnë se shërbimi përmes platformave online dhe dorëzimi në shtëpi i porosive do të vijojë edhe përtej situatës së COVID, duke shërbyer si një mundësi më shumë për konsumatorët./monitor.al