Flet Igli Tare: “Nuk mendoj dot pagën kur shoh kaq viktima”

I prekur nga situata që po kalon Italia në veçanti (mbi 10 mijë viktima nga Covid-19), Igli Tare, drejtori sportiv i Lazios, ka lëshuar një apel për të gjithë, duke sakrifikuar ai i pari për t’i ardhur në ndihmë klubit, po pse jo, edhe mjekësisë. Më konkretisht ai ka folur për pagat e sportistëve…

“Duhet ende ta mendojmë. Futbollistët tanë janë në kontakt mes tyre, por nuk kemi biseduar ende. Por, e mendoj dhe se shumë shpejt edhe ne drejtuesit dhe do të shkurtojmë rrogat ose do t’i presim fare. Duket sikur jetojmë një film horror.

Në fillim gjithçka u mor pak lehtë. Tani nuk flasim për vetëm një situatë, por një luftë. Nëse sheh kamiona ushtarakë me arkivole e kufoma brenda tyre, atëherë mbetesh i shokuar, pa fjalë. Nuk mendoj për pagën në këto kushte. Dhe numri i të vdekurve çdo ditë është i tmerrshëm! Kjo është një katastrofë dhe shkatërrim për gjithë vendin”, pohoi Igli Tare.