Gazeta “Lirija”, shtegu idealist i Mid’hat Frashërit*

Nga Persida Asllani

PERSIDA ASLLANI

Ky 25 mars shënon 140-vjetorin e lindjes së Mid’hat Frashërit dhe në nderim të tij e në vijim të botimeve të shumta të veprës së gjerë që ai na la bujarisht trashëgim, është ribotuar para disa kohësh, në format anastatik, edhe gazeta LIRIJA, themeluar prej tij në vitin 1909. Botimi anastatik u realizua falë bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare me Fondacionin ALSAR. Gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të krijuar “bibliotekën” e veprës së tij, artikuj dhe shkrime të rëndësishme nga kjo gazetë janë botuar në përmbledhje të ndryshme falë punës së studiuesve e historianë të pasionuar si Uran Butka, Luan Malltezi, Sherif Delvina dhe Maksim Gjinaj, kryebibliografi i mirënjohur.

Rishfletimi i shtypit na lejon leximin e atypëratyshmërisë që ai bart brendashkruar editorialeve, analizave, komenteve, kronikave e reportazheve të tij. Refleks i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë mbi ngjarje e veprime konkrete, ai përcjell njëkohësisht gjykimin dhe emocionin, pikëvështrimet dhe ngjyresat e epokës së vet, cilësi këto që e shndërrojnë në një dokument të dorës së parë, një lloj fotografie e rrallë që shërben sot për të rrokur kompleksitetin e një momenti historik. Gazeta “Lirija” i ngjan nga kjo perspektivë një albumi të çmuar, përmes të cilit vjen jehona e debatit politik, e përplasjeve gjeo-politike, e luftës parlamentare, por edhe asaj me armë, e ndeshjes së vizioneve, e përpjekjeve për arsimin dhe gjuhën kombëtare, e çeljes dhe veprimtarive të klubeve kulturore, e kongreseve, e botimeve, e dëshmive, e letërsisë etj.

mithat

Në historinë e shtypit, gazeta “Lirija” njihet si një e përjavshme politike, shoqërore, kulturore, letrare, historike, me katër faqe; shtypur në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit me shkronjat e alfabetit të Stambollit. Numri i saj i parë doli në Sofje më 14 korrik të vitit 1908 dhe vijoi më pas në Selanik derisa u mbyll më 25 dhjetor të vitit 1910 – bashkëkohëse me shumë  organe shtypi që u botuan në gjuhën shqipe në pak qytete shqiptare e në shumë hapësira të diasporës sonë në Ballkan, Europë, Afrikë dhe ShBA-ve, si shprehje e zgjimit të madh identitar e kulturor kombëtar.

Qysh në numrat e parë, shënimet për lexuesit, na dëshmojnë kontekstin e ndërlikuar në të cilin niste botimin kjo gazetë. Për këtë vetë drejtonjësi i saj shkruan:

“Lirisë” në numër të parë i thamë se del në Selanik, po më të vërtetë u shtyp në Sofje, në shtypshkronjën “Mbrothësia”. Shkaku i gënjeshtrës sënë ish që të nxirrnim atë frikë të rrënjosurë në zemrat tona, atë frikë që na kish rëthuarë si gjarpëri e na kish helmuar shpirtinë.”

Shënimi (i bërë në Selanik) shpreh qartë lidhjen e drejtpërdrejtë të botimit të gazetës me një nga momentet e mprehta historike të fillimshekullit XX, siç është shpallja e Kushtetutës së xhonturqve dhe për rrjedhojë, e lidhjes së saj me një nga betejat e gjata të shqiptarëve për të drejtën e shkrimit dhe botimit në gjuhën shqipe. Miratimi i Kushtetutës solli një moment të ri refleksioni për mbarë Lëvizjen Kombëtare: ndonëse  në periudhën e parë të ushtrimit të saj, te veprimtarët e krahut të moderuar, ku bënte pjesë edhe Mid’hat Frashëri, gjallonin ende shpresa për bashkëpunim e mirëkuptim me qeverisjen xhonturke në të mirën e përbashkët (nxitur shpesh edhe nga kërcënimi që vinte prej synimeve shoviniste të shteteve fqinje si Greqia e Serbia), politikat gjithnjë e më regresive që u ndërmorën prej tyre, edhe në ato çështje që tashmë ishin garantuar me ligj si e drejta e arsimimit në gjuhën amtare etj., apo lufta që iu bë alfabetit “latin” të shqipes, mbështetja e paskrupullt që iu bë atij arab e ndonjëherë edhe atij grek në vendbanimet shqiptare ortodokse të Shqipërisë së Jugut, indiferenca ndaj inkursioneve greke në Çamëri etj, ua vërtetuan edhe atyre se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbetej më peng i një iluzioni reformator aspak konkret. Dinamikat e reja në gjirin e popujve të Ballkanit dhe kontekstet gjeo-politike imponuan radikalizimin e Lëvizjes Kombëtare drejt kryengritjesh të shpeshta me synim Pavarësinë e vendit.

Po sjellim këtu dëshminë e vetë Mid’hat Frashërit, teksa analizon ngjarjet, veprimet dhe zgjedhjet e bëra nga largësia e 20 viteve më pas:

“Pyetja qe e tmerrshme: alternativa e parë kishte tërheqjen e aventurës, e një luftimi të rebtë, ashtu si e ka dashur Arbëreshi. Vepra e dytë ishte mbase më pëllore, po edhe më e rëndë; pemët e saj do të ishin më të durueshme, po edhe lypte një bashkëpunim, makar për ca kohë, me autoritetet e njohurë, një farë paqe, bese provizore, kurse mënyra e parë parashihte një kolaborim me ballkanikët, me ata që lakmonin truallin dhe gjakun arbëror. E para donte kohë, vullnet, organizim, disiplinë, edukatë kombiare, një patriotizmë inteligjente, një politikë të maturë me fuqi në vetëhenë tënë. E dyta lypte bujë e zhurmë. 

Tek gjendëshim nërmjet dy udhëve, tek përpiqeshim herë me vetëhenë t’ënë, herë me sielljetë verbërore dhe fanatike të Tyrqvet të Rinj, herë edhe me pritat e ngrehura prej fqinjëvet, kërcëllime e luftës ballkanike i dha zjarr barutit”. [Diturija, 1928, Nr.6]

Ky ishte në nisje vizioni i Mid’hat Frashërit, i bazuar në “vullnet, organizim, disiplinë, edukatë kombiare, një patriotizmë inteligjente, një politikë të maturë me fuqi në vetëhenë tënë”. Ky vizion lidhej me një kuptim të thellë të konceptit të së drejtës, të lirisë, të njeriut, të kombit. Është e qartë tashmë se përse me idealizmin e skajshëm që e karakterizoi në çdo hap të jetës e veprës, ai shpreson me të gjithë forcën e dëshirën e tij te roli modernizues e emancipues i një kushtetute të sapo shpallur, tek e cila shihte pragun e një rrugëtimi të gjatë e të begatë për kombin e vet. Prandaj dhe shpalljen e saj në muajin korrik e përqas me datat po aq domethënëse të kombit amerikan dhe atij francez, duke e çelur pikërisht përmes kësaj paraleleje shpresëshumë editorialin e parë të gazetës “Lirija”, më 14 korrik të vitit 1908, datë që e lidh botimin e kësaj gazete edhe me datën simbol të Revolucionit Francez, ditën e sulmit mbi Bastijë më 14 korrik të vitit 1789.

Për rrjedhojë, shkrimet e para përshëndetëse,  plot shpresë e entuziazëm, na tregojnë sot për besimin që ai kishte te kushtetutshmëria si një rregullator i përsosur mes individit dhe shoqërisë, mes shtetasit dhe shtetit, mes grupeve shoqërore, kulturore, fetare, etnike etj.

Ndonëse gazeta u përpoq t’i qëndronte besnike këtij programi (deri edhe në një qëndrim të hapur e sistematik kundër politikave dhe ndikimit të Italisë dhe Austrisë në Ballkan e në territorin shqiptar), realiteti politik në njërën anë, dhe vetëdija atdhetare e drejtuesit të saj në anën tjetër, i diktuan edhe përmes zhgënjimesh, orientimin konkret në gjirin e dinamikave të viteve 1908-1910. Historia shumë shpejt nisi t’u japë të drejtë atyre që kishin ngurruar të shpresonin e të besonin aq lehtë. Turqit e rinj, pas ardhjes në fuqi hoqën dorë nga premtimet për autonomi. Doktrina e osmanizmit paralajmëronte vijimin e së njëjtës politikë të vjetër e të vjetëruar ndaj popujve të tjerë, konkretisht të turqizimit të tyre. Një politikë e tillë i ktheu në fraza boshe parimet e mëdha demokratike të shpallura gjatë revolucionit xhonturk: “Liri”, “Barazi”, “Vëllazëri” dhe “Drejtësi”.

Dhe në këto kushte, pavarësisht mirësisë e idealizimit të tij, Lumo Skëndo e shndërroi “Lirija-n” në një tribunë ku denoncohej çdo qëndrim antikombëtar ndaj arsimit, gjuhës e lirive. Pena e tij mprehet me një qëndrim gjithnjë e më kritik si për qeverisjen qendrore ashtu dhe për vetë bashkatdhetarët e tij, te të cilët kërkonte më shumë vetëdije, qytetari e përkushtim.

Spikasin më tepër në këtë linjë artikujt në mbrojtje të alfabetit të shqipes: artikuj qortues e denoncues të grupeve shqiptare që viheshin verbërisht në shërbim të politikave të fshehta xhonturke e deri te demaskimet konkrete të këtyre politikave, pa lënë mënjanë as presionin që gazeta synonte të ushtronte ndaj Parlamentit, e në mënyrë të veçantë ndaj atij grupimi deputetësh shqiptarë në Stamboll që nuk luftonte sa duhej për të rivendikuar të drejtat e kombësisë shqiptare, të shprehura tashmë edhe në kushtetutë.

Lumo Skëndo është njëkohësisht një prej veprimtarëve aktivë për alfabetin e shqipes, botimet në mbështetje të arsimit shqip si dhe fuqizimin e sistemit shkollor kombëtar. Një pjesë e rëndësishme e këtij kontributi vjen e regjistruar edhe te “Lirija” si dëshmi e rrallë historike e dokumentare mbi veprimtarinë e tij të dendur: punimet dhe arritjet e Kongresit të Manastirit; hartimi i një programi arsimor të gjerë, miratuar në Kongresin e Elbasanit, vënia në zbatim të tij; veprimtaritë e Klubit Shqiptar të Selanikut, që ai drejtoi; themelimi i Normales, krijimi i shoqërisë shkollore “Përparimi” në Korçë, që do të çelte kudo shkolla shqipe dhe do t’i këqyrte ato; hapja e klubeve kulturore në tërë Shqipërinë, etj. Vlen të theksojmë se në rastin e Kongresit të Manastirit, gazeta “Lirija” ishte i vetmi organ shtypi që pasqyroi menjëherë informacione mbi të, duke nisur nga punimet e Kongresit, mbledhjet, programin, delegatët, procesverbalet, vendimet e Komisionit të Alfabetit etj.

Po aq i rëndësishëm është kontributi i drejtuesit të “Lirisë” edhe në denoncimin e shumë krimeve të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, apo intrigave të patriarkanës greke ndaj arsimimit në shqip dhe shkrimit të shqipes me alfabet latin.

 

* * *

Me natyrën e tij poliedrike, Lumo Skëndo, edhe te gazeta “Lirija” ka lënë një gjurmë të thellë autoriale, sikundërse kish bërë qysh më parë me “Kalendarin kombiar”, e siç bëri më pas me revistën “Diturija”, duke u shndërruar në autorin qendror të saj. Pavarësisht bashkëpunimit me personalitete të tjera të jetës politike e kulturore shqiptare edhe gazeta “Lirija” përcjell mendjen dhe zemrën e trashëgimtarit të frashërllinjve të mëdhenj.

Ajo merr sot peshën e një dokumenti të vlefshëm edhe për historinë e letërsisë shqipe, veçanërisht për një nga zhanret ku vetë Lumo Skëndo debuton me sukses dhe madje, falë vetëdijes së tij letrare, shndërrohet në autor themelues të saj, siç është në rastin e zhanrit të udhëpërshkrimit. Pikërisht në faqet e “Lirijas” botohet udhëpërshkrimi i parë që njohim në shqip (së paku deri më sot), nën autorësinë e Lumo Skëndos, me titullin “Gjashtë javë në Shqipëri”, si një zhanër specifik letrar, që gërsheton përvojën jetësore dhe njohjen e botës përmes udhëtimit, kërshërinë ndaj së panjohurës, me refleksionin, subjektivitetin, emocionalitetin si dhe kërkimin e hollë të potencialeve letrare e estetike të gjuhës.

Ky udhëpërshkrim çel vargun e gjatë të shënimeve të udhëtimit që letërsia shqipe do të trashëgojë prej penës së tij. Në mbresat e forta të këtij udhëtimi, autori sjell një nga panoramat më komplekse të krahinave, qyteteve dhe fshatrave që vizitoi, duke zbuluar bukuritë e pasuritë natyrore dhe elementet thelbësore të jetës e botës shqiptare: mendësitë, zakonet, jetën shoqërore, ekonomike, kulturore, historinë, përpjekjet për dituri, arsimim dhe ndërgjegjësim kombëtar. Në zemër të kësaj panorame shkëlqen pena elegante e një shkrimtari të talentuar e të kultivuar që ka nisur të sprovohet përmes shënimesh e kujtimesh, prozash poetike dhe tregimesh, që vetëm pak vite më pas do të botohen në vëllimin “Hi dhe shpuzë” (1915), një vepër e rëndësishme në rrjedhat e historisë së letërsisë shqipe.

 

Është e pamundur që në hapësirën e një parathënieje të rroken të gjitha aspektet e një organi shtypi, qoftë ai edhe një e përjavshme, katërfletëshe, shtrirë vetëm në 30 muaj, si gazeta “Lirija”. Sidoqoftë, rikthimi i saj, tashmë si një koleksion i plotë në duar të lexuesve e sidomos të studiuesve, do të mund të nxjerrë në pah vlerat e shumta dokumentare e kulturore të saj dhe të plotësojë dijen tonë mbi kontributin dhe veprën mbresëlënëse të “drejtonjësit” të saj,  Mid’hat Frashërit.

Në përfundim, po ndajmë me lexuesin edhe një nga kënaqësitë e rralla të studiuesve të shtypit, kënaqësinë e rigjetjes dhe të hedhjes dritë mbi një copëz “të humbur” nga krijimtaria e një autori. Ndonëse është i njohur fakti se disa nga prozat e vëllimit “Hi dhe shpuzë” të vitit 1915 u botuan për herë të parë pikërisht te “Lirija”, në rubrikën “Shtylla Letrare”, njëra prej tyre, me gjasë, po rikthehet në vëmendjen e lexuesve dhe të studiuesve të letrave shqipe vetëm falë këtij botimi anastatik. Ajo është një prozë poetike e shkurtër, e shkruar si një pyetësim sprovues se ku vallë i pëlqen të prehet shpirtit të njeriut meditues e krijues, mendjes e zemrës së tij, në një pragmbrëmje, teksa “ulet dita e rënkon drita”. Ndaj ajo titullohet thjeshtë “Ku?” dhe po e sjellim në këtë parathënie si homazh për autorin e saj e si pohim se një pjesë e këtij shpirti të lartësuar strehohet edhe në këtë botim:

Ku?

Kur zë e unjet dita dhe rënkon drita, shpirti im zë e arratiset, në mes të këti të mukëti të vrenjturë. Shpirtit i pëlqen të ngjitetë në këto mjergulla që mbulojnë dhenë dhe gjët e tij, të ngjitetë si një krahë lakuriqësi të pa dukurë.

Po ku vete shpirti, ku fluturon mendja? a e heq i rimt’i kthiellt’i erësë, a shkon të gjejë dritën e kulluara, lart lart, atje siprë apo humbet brenda në mjergull, në tym, në thellësi, dhe në natë? Tutje, atje tej, më lark qarkut a kërkon një diell, një dritë, një yll? A errësira dhe të thellët e heqinë?

Të kishinë krahë do të fluturonin si mbleta, si flutura, sa të gjenin erën dhe ngjyrënë që dëshërojnë; do të venin lule më lule, bar më bar, gjeth më gjeth. Do të kërkoninë, shpirti dhe mendja, do të kërkonin mbi vesët, mbi trandafil, mbi vjollcën e fshehurë, mbi zambakn’ e ç’këlqyerë, mi hithrën e hidhurë! Po ku do të gjenin prehjenë? N’erë, në lule, në burim të ftohtë që qeton etjen, në rezat e diellit që djegin zëmrën, në vrerë që helmon shpirtin, apo në një sy të kaltërt, a në leshra të zeza?

————————————————————–

* Pjesë nga parathënia e botimit.

/panorama.com.al