Lajmet Mbi COVID-19, Mos Beso Gjithçka Që Sheh!

Rreziku i lajmeve të rreme nuk ka qenë kaq i lartë sa gjatë pandemisë së COVID-19.

Keqinformimi dhe lajmet e rreme janë po aq të lashta sa edhe interneti vetë, por gjërat janë bërë më të komplikuara.

Në këto ditë izolimi dhe karantine, interneti është e vetmja mënyrë për të qëndruar të lidhur me botën dhe për tu informuar.

Pasojat e Rrezikshme Të Keqinformimit Për Koronavirusin

Që nga janari i këtij viti, Kathleen M.Carley, shefe e Qendrës Carnegie Mellon për Analizën Kompjuterike të Sistemeve Të Organizimit, kanë studiuar trendet e keqinformimit në lidhje me COVID-19.

Ajo ka identifikuar tre tema kryesore keqinformimi në internet:

  • kurat dhe masat parandaluese si përdorimi i vajrave esencialë, kokains, hudhrës, klorit, eliminimi i akullores, steroidëve që reklamohen në rrjete sociale kundër COVID-19;
  • informacione të rreme për llojin e virusit duke e krahasuar atë me të ftohurën dhe gripin e zakonshëm apo për faktin se koronavirusi nuk i prek fëmijët.
  • teori konspirative për çështje në lidhje me testimet dhe viruset që synojnë të nxisin panik dhe konfuzion.

7 Platforma Kundër Keqinformimit

Të hënën, Facebook iu bashkua gjashtë platformave të tjera si Google, Microsoft, Twitter, Reddit, YouTube dhe Linkedin që kanë deklaruar luftë të hapur ndaj keqinformimit për çështjet e koronavirusit dhe shëndetit si një kërcënim serioz ndaj mirëqenies së njeriut.

Nëse keni vënë re në këto platforma, sa herë që të kërkoni informacion për çështje të tilla, rezultati i parë që del të ofron një burim zyrtar informacioni.

Platforma Whatsapp njoftoi që do të ofronte 1 milionë dollarë për të mbështetur Rrjetin Ndërkombëtar të Kontrollimit të Fakteve për të luftuar lajmet e rreme mbi koronavirusin.

Sipas të gjitha këtyre platformave, secili prej nesh mund të mbrohet nga informacionet e rreme në mënyrë të thjeshtë.

Njohja Me Faktet

Të vegjël e të rritur, të gjithë jemi të brishtë ndaj keqinformimit.

Gënjeshtra sot nuk dihet ku i ka këmbët ndaj çdo fakt i sigurtë dhe zyrtar do ju mbrojë nga informacionet keqdashëse.

Zgjidhni burime të sigurta informacioni, autoritetet shtetërore dhe ekspertët, të cilët sot komunikojnë edhe në rrjetet sociale.

Mos Shpërndaj Menjëherë.

Të duhen vetëm 20 sekonda për të bërë një kërkim të thjeshtë e për të konfirmuar nëse një informacion i ndarë prej dikujt është i vërtetë ose jo.

Për shembull, nëse në rrjetet sociale do të lexoni një lajm që thotë se hudhra shëron koronavirusin, po të kërkoni për të në Google, do të merrni përgjigjen e vërtetë dhe të pakundërshtueshme.

Ripostimi ose shpërndarja e njoftimeve, lajmeve dhe informacioneve nga palë të tjera sot duhet bërë me më kujdes se kurrë, sidomos kur bëhet fjalë për kura apo vaksina.

Informacioni i keq është si virusi, përhapet dhe merr jetë.

Kujdes Me Frikën

Në disa lajme apo informacione të rreme, titujt janë përgjithësisht të frikshëm.

Nëse ju i shpërndani ato do të jeni kontribues i diçkaje më të madhe.

Nëse lexoni një gjë të tillë, pyeteni veten, përse ata që e kanë shkruar duan që unë të kem frikë?

Mos Beso Gjithçka Që Sheh

Normalisht, njeriu duhet ta shohë dhe të dëgjojë diçka që ta besojë plotësisht.

Në ditët e sotme, fotot dhe videot mund të manipulohen shumë lehtë. Konteksti i tyre mund të hiqet, përmbajtja mund të tjetërsohet thjesht për të përhapur një informacion të rremë për një synim të caktuar.

Ekspertët thonë se nuk duhet të harrojmë që sot më shumë se kurrë duhet të kontrollojmë para se të besojmë./AgroWeb.org