Mali i Zi, shpallet fundi i epidemisë nga COVID-19

Trupi Koordinues Kombëtar me propozim të Institutit për Shëndetit Publik të Malit të Zi, të martën shpalli fundin e epidemisë COVID-19.

“Ky është rezultat i përpjekjeve për muaj të tërë nga të gjithë në sistemin tonë dhe nga qytetarët tanë. Disa masa do të anulohen, por pasi pandemia vazhdon ende, mbesin në fuqi masat kundër importimit të virusit”, ka njoftuar Trupi Koordinues Kombëtar.

Sipas autoriteteve shëndetësore Mali i Zi ka kaluar dy periudha të inkubacionit prej 28 ditësh pa raste të reja me koronavirus dhe kështu, sipas tyre janë plotësuar kushtet për të shpallur fundin e epidemisë.

Rasti i parë i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi u paraqit më 17 mars dhe gjatë këtij harku kohor janë infektuar 324 persona; 315 prej tyre janë shëruar, kurse 9 kanë vdekur./VOA