Pandemia mbyll bizneset, rritet numri i familjeve të varfëra në Kosovë

Situata e krijuar në Kosovë nga pandemia COVID-19, ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës, rënie të aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht rritje të shkallës së varfërisë. Në Kosovë, të dhënat e disa mekanizmave tregojnë se numri i familjeve të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur gjatë kësaj kohe.

Sipas të dhënave të Ministrisë në detyrë të Financave, gjatë periudhës mars – maj, gjatë kohës kur Kosova është përballur me pandeminë e koronavirusit, numri i familjeve me asistencë sociale është rritur për rreth 700, raportoi Evropa e Lirë. Shuma e parave që marrin këto familje nga qeveria është 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Më 16 prill, Qeveria në detyrë e Kosovës ka filluar të aplikojë masat e paketës emergjente fiskale, e cila parasheh 130 euro për dy muaj (prill dhe maj) asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

Numri i familjeve që kanë aplikuar për të përfituar nga Paketa Emergjente është rreth 70 mijë familje.Edhe Kryqi i Kuq i Kosovës ka konfirmuar rritjen e numrit të familjeve të varfra gjatë kohës së pandemisë.

Listës prej 14 mijë familjeve në nevojë që ndihmohen nga Kryqi i Kuq i Kosovës, gjatë kohës së pandemisë i janë shtuar edhe shumë familje të tjera, në të cilat, kryefamiljari ka humbur punën si pasojë e mbylljes së aktiviteteve ekonomike. Pandemia ka shkaktuar uljen e numrit të të punësuarve.

30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara kanë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri dhe rreth 18 për qind e popullsisë, jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Pas pandemisë, sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë, do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind. Por Kosova nuk është e vetmja. Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass kohë më parë ka thënë se deri në 60 milionë njerëz në botë do të përballen me varfëri ekstreme si pasojë e koronavirusit./abcnews.al