Rritet numri i kompanive nga Izraeli, SHBA dhe Gjermania në Shqipëri, bien greket

Numri i ndërmarrjeve të huaja që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri u rrit me 2,9 për qind gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Gjatë vitit 2019 operuan gjithsej 6443 kompani të huaja, ose 184 më shumë se në vitin 2018.

Rritjen më të madhe e pësuan kompanitë me orgjinë nga Izraeli, SHBA dhe Gjermania. Edhe pse këto shtete kanë një numër të kufizuar biznesesh në Shqipëri, prania e tyre në ekonominë tonë shënoi një rritje theksuar gjatë vitit të kaluar.  Në vitin 2019 u numëruan 167 kompani izraelite, me një rritje 67 për qind në raport me vitin 2018 ku ishin gjithsej 100 kompani. Shumica e kompanive nga operojnë në sektorin e shërbimeve kryeisht në “call center” dhe në forex dhe vetëm 20 për qind në sektorin e prodhimit, kryesisht në bujqësi.

Pas Izraelit rritja më e madhe u vu re në kompanitë nga SHBA, numri i të cilave u shtua me 19 për qind më 2019, duke arritur në 135 kompani nga 113 që ishim në vitin 2018, të cilat më së shumti operojnë se sektori e shërbimeve.

Gjatë vitit 2018 është vënë re edhe një prani më e lartë e bizneseve gjermane me rreth 7 për qind më shumë se në vitin 2019. Në Shqipëri zyrtarisht numërohen 184 kompani gjermane nga 172 që ishin gjatë vitit 2018

Rritja vijoi edhe për ndërmarrjet italiane me rreth 5,5 për qind më shumë se viti i mëparshëm. Numri i ndërmarrjeve italiane që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri ishte 3011 më 2019. Kompanitë italiane dominojnë tregun shqiptare ndër investitorët e huaj duke zënë 46 për qind të totalit të kompanive të huaja në vendin tonë.

Gjatë vitit 2019 u vu re një rritje me 5,7 për qind e bizneseve nga Kosova, duke zënë vendin  e dytë për numrin e lartë në totalin e ndërmarrjeve të huaja.

Vitin e kaluar u vu re një rënie e kompanive greke dhe maqedonase, përkatësisht me -5.1dhe -2.1 për qind. Kompanitë greke zënë më 2019 zunë vendin e tretë në totalin e kompanive të huaja sipas origjinës që operojnë në Shqipëri duke zbritur nga vendi i dytë ku kanë qëndruar historikisht. /Monitor