SHBA, 12 shtete mobilizojnë Gardën Kombëtare

Guvernatorët e Minesotës dhe 11 shtete të tjera kanë mobilizuar trupat e Gardës Kombëtare, ndërsa qytetet e tyre u përballën me një tjetër natë protestash të dhunshme të shkaktuara nga vdekja e një afrikano-amerikan ndërsa ishte ndaluar nga policia.

Në Mineapolis, atje ku nisen protestat, policia dhe Garda Kombëtare u futën në qytet menjëherë pas orës 8 të pasdites. Ndalim-qarkullimi hyri në fuqi me qëllimin per te ndalur protestat. Punonjësit e zbatimit të ligjit përdorën gaz lotsjellës e plumba gome për të pastruar rrugët e qytetit.

Për katër ditë me radhë protestat që fillimisht nisën si paqësore degjeneruan në plaçkitje, zjarrvënie dhe forma të tjera dhune në qytetin e Mineapolisit, atë fqinj të Saint Paulit e në qytete të tjera në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Ndodhemi nën sulm“, tha zoti guvernatori demokrat Tim Walz, i cili garantoi se do të rendi “do të vendoset me gjithë fuqinë“. Guvernatori Walz tha se vendosja e gardës ishte e domosdoshme pasi sipas tij protestat po përdoresish nga persona që po kërkonin të krijonin kaos.

Në një koment më vete Prokurori i Përgjithshëm William Barr gjithashtu drejtoi gishtin ndaj atyre që i cilësoi si nxitës ekstremistë të protestave. Ai dhe zoti Walz bënë fajtor për situatën krahët e kundër ektremistë të politikës, por pa ofruar prova për të mbështetur pohimet e tyre.

Guvernatorët në të paktën 11 shtete të tjera, Xhorxhia, Kentaki, Ohajo, Uiskonsi, Kolorado, Jutah, Uashington, Kaliforni, Tenesi, Mizuri dhe Teksas, aktivizuan gjithashtu trupat e Gardës Kombëtare për të ndihmuar në shuarjen e protestave që në shumë zona janë kthyer në të dhunshme.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për Los Angelesin ku pati protesta të shtunën vonë dhe demonstruesit u vunë zjarrin disa objekteve.

Në Indianapolis pati të shtëna të shumta në qendër të qytetit të shtunën që shënoi dhe natën e dytë të protestave. Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Shefi i policisë Randal Taylor u bëri thirrje banorëve që nuk jetojnë në zonë të largohen pasi sic tha ai “qendra e qytetit nuk është e sigurt në këtë kohë”.

Gati 1.400 vetë u janë arrestuar në të gjithë vendin, sipas një njoftimi të “Associated Press” të shtunën. Ky numër ndoshta mund të jetë më i lartë pasi protestat vazhduan gjatë natës. Kryetarët e bashkive në disa qytete të SHBA kanë nxjerrë urdhra për ndalim qarkullimi gjatë natës pas akteve të dhunës që përfshinë qytetet e tyre, përfshirë Los Anxhelosin, Siatëllin, Atlantën, Denverin, Piladelfian, Portlandin, Oregonin dhe Kolumbian.
Ndërsa disa protesta kanë çuar në dhunë përfshirë zjarrvënie dhe plaçkitje në Mineapolis dhe Portland, të tjera kanë mbetur paqësore, si në Uilmington, Delauer dhe Grinvill.

Në New York, protestuesit dolën në rrugë, mbrëmjen e tretë me radhë duke qëndruar deri pak pas mesnate. Kryebashkiaku Bill de Blasio mbajti një konferencë shtypi në Bruklin, jo shumë larg nga vendi ku ishin mbledhur demonstruesit. Ai tha se numri i protestuesve që vazhdonin të ishin ende në rrugët e qytetit në atë orë numërohej në vetëm disa “qindra” dhe u bëri thirrje atyre të shkonin në shtëpi.

Nju Jorku nuk e ka aktivizuar Gardën Kombëtare dhe kryetari i bashkisë tha se departamenti i policisë së qytetit është “struktura e duhur” për të adresuar situatën sepse sic tha ai, ata e kuptojnë Nju Jorkun.

Garda Kombëtare e Minesotës njoftoi se do të rrisë praninë e trupave përtej 700 ushtarëve të vendosur tashmë. Gjeneral majori Jon Jensen tha që do të ketë më shumë se 1.700 trupa në zonë të dielën. Garda Kombëtare është një forcë ushtarake rezervë me njësi në secilin prej 50 shteteve, shumica e anëtarëve të së cilës shërbejnë me kohë të pjesshme. Njësitë mund të aktivizohen në raste emergjence nga qeveritarët e shteteve për të ndihmuar në trajtimin e fatkeqësive natyrore apo trazirave civile.

Derek Chauvin
Derek Chauvin

Ndërkohë Derek Chauvin, oficeri i cili dyshohet se shkaktoi vdekjen e George Floydit u shkarkua të martën nga Departamenti i Policisë në Mineapolis. Ai u arrestua dhe ndaj tij u ngrit akuza për vrasje të shkallës së tretë.

Familja e George Floyd në një koment rreth ngritjes zyrtarisht të akuzave tha se pret një qasje më të ashpër rreth ngjarjes.

Ne duam një akuzë për vrasje të shkallës së parë si dhe duam të shohim oficerët e tjerë të arrestuar. U bëjmë thirrje autoriteteve të rishikojnë akuzat për të pasqyruar përgjegjësinë e vërtetë të këtij polici’“, tha një zëdhënës i familjes.

Derrick Johnson, president dhe drejtues ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare për Përparimit e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) një grupim për të drejtat civile i tha “Zërit të Amerikës” se vrasja e George Floyd tregon se “në këtë vend nuk e kemi trajtuar çështjet racizmit si dhe vlerën që ka jeta e afrikano-amerikane në Mineapolis”.

Ai tha se protestat paqësore janë “një mënyrë për qytetarët e këtij vendi për të ngritur shqetësimin e tyre mbi padrejtësitë” dhe shtoi se NAACP “kundërshton në mënyrë absolute rebelimin, që kurrë nuk zgjidh asgjë”, sikurse tha ai. /VOA