Mbyllja e kufijve i bllokon në Shqipëri emigrantët nga Lindja e Mesme

Mbyllja e kufijve i bllokon në Shqipëri emigrantët nga Lindja e Mesme

Mbyllja e kufirit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ka bllokuar emigrantët nga Linjda e Mesme që duan të udhëtojnë përmes Ballkanit drejt Evropës Perëndimore.

Një grup emigrantësh nga Siria mes të cilëve dhe një minoren, ishin ndër të paktët këmbësorë përgjatë rrugës Lezhë-Laç të enjten, ndërsa qarkullimi i njerëzve dhe makinave është kufizuar për shkak të masave kundër epidemisë së COVID-19.

Por ndryshe nga drejtimi që ndjekin zakonisht refugjatët në Shqipëri, nga Jugu në drejtim të Veriut, grupi prej 4 vetësh me çanta të mëdha pas shpine ecën nga Lezha në drejtim të Laçit.

Muhamedi, i vetmi në këtë grup që fliste anglisht, i tregoi BIRN se ata po ktheheshin në Tiranë pasi kishin dështuar të kalonin kufirin me Malin e Zi.

“Ka 10 ditë që ecin në këmbë,” tha ai. “Kemi qëndruar tre ditë në Han të Hotit, por nuk na lejuan që të kalojmë në Mal të Zi,” shtoi emigranti nga Siria.

Prej mbylljes së kufijve për shkak të përhapjes së COVID-19, dhjetra emigrantë kanë mbetur të bllokuar në Shqipëri duke e pasur të pamundur të ndjekin rrugën drejt veriut të Europës, edhe pse thonë se nuk duan të qëndrojnë në vendin tonë.

Shqipëria bënë pjesë në ashtuquajturën rruga migratore e Ballkanit Perëndimorë. Emigrantët nga Lindja e Mesme – pasi kalojnë detin Egje dhe mbërrijnë në Greqi, udhëtojnë transit në mënyrë të paligjshme përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe në më pak raste Serbisë, në përpjekje për të arritur në Evropën Perëndimore.

Sipas Agjencisë Europiane për Kufirin dhe Rojen Detare, FRONTEX – e cila patrullon dhe kufijtë e Ballkanit Perëndimorë falë një marrëveshje me qeveritë e rajonit, në muajin mars u regjistruan 1100 gjurmime të kalimeve të paligjshme të kufirit në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimorë, duke shënuar një rënie me 45 % krahasuar me muajin paraardhës, e cila besohet se ka ardhur për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Megjithatë, FROTEX nënvizon se në tre muajt e parë të vitit, numri i kalimeve të paligjshme kufitare u dyfishua në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në më shumë se 5700 emigrantë . Shtetasit e Sirisë dhe Afganistanit përbënin shumicën e emigrantëve të zbuluar në këtë rajon gjatë kësaj periudhe.

Lëvizjet e refugjatëve sirianë janë të shpeshte përgjatë rrugës që përshkon qarkun e Lezhës nga Mamurrasi në drejtim të Shkodrës. Këtë e konfirmon edhe një shitës karburanti që nuk donte të identifikohej.

“Duke qenë se qarkullimi është i bllokuar, tani shikon më shumë refugjatë duke lëvizur në rrugë,” tha ai, duke theksuar se thuajse çdo ditë shikohen grupe të vogla, duke lëvizur në këmbë në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.

“Madje shpesh herë ndalojnë për të kërkuar ujë,” nënvizoi shitësi i karburantit.

Muhamedi, pjesë e grupit që BIRN takoi në rrugën mes Lezhës dhe Laçit, tha se kishin qëndruar rreth një muaj në Shqipëri.

“Unë jam nga Siria – për shkak të situatës që është krijuar atje jam larguar,” shpjegoi ai. “Ka më shumë se një muaj që kam hyrë në Shqipëri sëbashku me shokët e mi dhe disa ditë kemi qëndruar në kampin e refugjatëve në Tiranë,” shtoi Muhamedi.

Ai tha se pas një kohe qëndrimi në kamp kishin vendosur të niseshin sërish dhe të merrnin rrugën për në Malin e Zi. Pas disa ditë ecjeje ata mbërritën në doganën e Hanit të Hotit që ndan dy vendet, por siç duket nuk ja kanë dalë të kalojnë në anën tjetër të kufirit.

“Nuk na lejuan që të kalojmë,” tha Muhamedi.

Burri tregon se vështiresitë dhe lodhja ishin të mëdha, për shkak se natën duhet të kalonin jashtë dhe rrugën për në kufi ishin të detyruar ta përshkonin në këmbë.

“Natën e kalojmë jashtë dhe po përballemi me shumë vështirësi, na duhet të udhëtojmë për disa orë për të arritur sërish në Tiranë”, tregoi Muhamedi. “Jemi shumë të lodhur,” shtoi ai.

Siriani theksoi se situata e krijuar nga koronavirusi i ri i ka frikësuar emigrantët dhe i ka penguar të lëvizin për shkak të mbylljes së kufinjve.

Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar policia nuk i ka kufizuar lëvizjet e tyre nëpër Shqipëri. Policia që në një situatë normale do t’i kishte ndaluar dhe dërguar në ndonjë qendër për emigrantët, tani nuk i shqetëson kur i sheh në rrugë.

“Policia s’na ka thënë gjë edhe pse na kanë parë disa herë,” tha Muhamedi. “Kemi shumë frikë se mund të infektohemi nga COVID-19, por mundohemi të tregohemi të kujdesshëm,” shtoi ai.

Grupi i emigrantëve duke u shlodhur rrugës për në Tiranë | Foto : E. Hila

Grupi prej 4 sirianësh tha se edhe pse kishte para me vete për të blerë ushqime, mbyllja e dyqaneve nga karantina e kishte bërë të vështirë sigurimin e ushqimeve gjatë rrugës.

“Të holla kemi edhe për pak ditë, por po hasim vështirësi për të siguruar ushqim. Dyqanet janë të mbyllura,” tha Muhamedi, i cili shpjegoi se për këtë arsye kishin blerë sasi të madhe ushqimi që e mbanin si rezervë.

“Nga lodhja konsumojmë shumë, por shpresoj që të arrijmë së më shpejt në Tiranë dhe të shkojmë sërish në kamp,” përfundoi ai.